Është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi që shtyn afatin për regjistrimin e pronarëve përfitues deri në datën 30 qershor 2022.
Ligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, parashikon që të gjitha subjektet raportuese të regjistruara në Republikën e Shqipërisë kanë detyrimin e regjistrimit të pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Afati fillestar ishte data 30.6.2021. Ndërkohë që, bazuar në këtë ligj, subjektet raportuese të krijuara rishtazi kanë detyrimin të regjistrojnë pronarët e tyre përfitues brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve raportuese, në rastin e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues.
Megjithatë, nga analizimi i të dhënave të regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, rezulton se, nga 59165 subjekte raportuese ekzistuese të regjistruara në Regjistrin Tregtar përpara datës së krijimit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, vetëm 21460 subjekte raportuese ekzistuese kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër deri më 10.11.2021.
Gjithashtu, nga 4861 organizata jofitimprurëse ekzistuese të regjistruara në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse, vetëm 1961 organizata jofitimprurëse kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër.
Ndryshimet e fundit parashikojnë që Subjektet raportuese të regjistruara në Regjistrin Tregtar me pronësi indirekte, si dhe subjektet raportuese të regjistruara në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk kanë përmbushur detyrimin e lidhur me regjistrimin fillestar të pronarëve të tyre përfitues, si dhe me ndryshimet e të dhënave të regjistruara të pronarëve përfitues, duhet t’i përmbushin këto detyrime brenda datës 30.6.2022.
Mospërmbushja e detyrimeve brenda datës 30.6.2022 dënohet me gjobë në vlerën 400 000 (katërqind mijë) lekë.
Ndryshimet parashikojnë dhe faljen e gjobave të vendosura nga QKB-ja përpara hyrjes në fuqi të projektligjit, në lidhje me mospërmbushjen e detyrimit për raportimin fillestar të pronarëve përfitues apo për ndryshimin e të dhënave për pronarët e tyre përfitues nga subjektet raportuese, pa i çliruar nga detyrimi që raportimi të kryhet prej tyre brenda afateve të reja.
Vendimi hyn në fuqi 15 ditë pas miratimit në Fletoren Zyrtare.